UBT News

Shefi i ushtrisë izraelite jep dorëheqje për shkak të sulmit të 7 tetorit

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Izraelit, Herzi Halevi, njoftoi të martën se ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra, duke e marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael.

Ndërkohë, ushtria izraelite e kreu një operacion të madh ushtarak në Bregun e okupuar Perëndimor të martën, duke i vrarë gjashtë njerëz dhe duke i plagosur 35 të tjerë, sipas Ministrisë palestineze së Shëndetësisë.

Halevi, i cili e mori detyrën në janar 2023, tha se dorëheqja e tij do të hyjë n fuqi më 6 mars.

Gjenerallejtënant Halevi është zyrtari më i lartë izraelit që jep dorëheqje për shkak të dështimit të sigurisë më 7 tetor 2023, kur mijëra militantë të udhëhequr nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – u futën në jug të Izraelit dhe sulmuan komunitetet pranë kufirit dhe bazat ushtarake.

Në atë sulm u vranë 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Më shumë se 90 pengje janë duke u mbajtur ende në Gazë, dhe besohet se rreth një e treta e tyre kanë vdekur tashmë.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Halevi tha se ushtria, nën udhëheqjen e tij, “dështoi në detyrën e saj për ta mbrojtur shtetin e Izraelit”./REL/

 

Exit mobile version