Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, ka propozuar sanksionimin e ministrave izraelitë për gjuhë të urrejtjes dhe nxitje për krime lufte, në një përpjekje tjetër për të ashpërsuar përgjigjen e bllokut ndaj luftës së Izraelit në Gaza.
“Kam nisur procedurën për të pyetur shtetet anëtare nëse duan (të) përfshijnë në listën tonë të sanksioneve disa ministra izraelitë (të cilët) kanë lëshuar mesazhe urrejtjeje, mesazhe të papranueshme urrejtjeje kundër palestinezëve dhe kanë propozuar gjëra që bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, dhe (janë) një nxitje për të kryer krime lufte”, u tha Borrell gazetarëve të enjten në mëngjes.
Ai foli para një takimi jozyrtar të 27 ministrave të jashtëm të bllokut në Bruksel, ku një vendim për sanksionimin e ministrave izraelitë nuk mund të merret zyrtarisht dhe nuk ka gjasa të fitojë mbështetje unanime.
Ndërsa Borrell nuk i përmendi ministrat në fjalë, ai së fundmi ka reaguar ndaj deklaratave dhe veprimeve të ministrit të sigurisë kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir dhe ministrit të financave, Bezalel Smotrich./UBTNews/