Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi sulmin me raketa ruse që ndodhi këtë fundjavë si pasojë e të cilit u shkatërrua një terminal i madh i magazinimit të grurit në qytetin port jugor të Mykolaiv.
“Një tjetër sulm me raketa ruse që kontribuon në krizën globale të ushqimit. Forcat ruse kanë shkatërruar terminalin e dytë më të madh të drithërave në #Ukrainë, në #Mykolaiv”, shkroi Borrell në një postim në Twitter të hënën.
Fotografitë në rrjete sociale të dielën shfaqën terminalin të përfshirë nga flakët. Mykolaiv është afër disa prej rajoneve më pjellore të Ukrainës.
Borrell tha se sulmi ishte në kundërshtim me premtimet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të ofruar kalim të sigurt përmes Detit të Zi nga portet ukrainase për transportin tregtar./UBTNews/