UBT News

Shefi i Pentagonit viziton Guantanamon, rritet numri i imigrantëve që kanë mbërritur

Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, vizitoi ditën e djeshme bazën amerikane në Gjirin e Guantanamos për t’u informuar nga afër me përpjekjet amerikane për dëbimin e imigrantëve të ndaluar ndërsa shtohet numri i atyre që mbërrijnë atje.

Një aeroplan me nëntë imigrantë, i nisur nga baza Fort Bliss e Teksasit, u ul në Gjirin e Guantanamos të martën në mesditë. Një zyrtar tjetër tha se ata konsiderohen si “të huaj të paligjshëm që paraqesin kërcënim të lartë” dhe u dërguan në qendrën e paraburgimit në Guantanamo. Një zyrtar i tretë tha se një fluturim tjetër me imigrantë të paligjshëm ishte planifikuar për të mërkurën.

Të dielën në këtë qendër u dërguan 17 të ndaluar të tjerë nga baza Fort Bliss e Teksasit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili drejton përpjekjet e dëbimit, si dhe agjencia e imigracionit për zbatimin e ligjit, ICE, nuk i janë përgjigjur pyetjeve lidhur me identitetin e të ndaluarve, vendet e tyre të origjinës apo krimet për të cilat akuzohen.

Fluturimi i së martës është i dyti që kur ICE dëboi të enjten 177 të ndaluar që ishin dërguar në Gjirin e Guantanamos në fillim të muajit.

Zyrtarët thanë se më shumë se 120 prej tyre ishin kriminelë të rrezikshëm, mes tyre pjesëtarë të organizatës kriminale Tren de Aragua të Venezuelës, e cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë e huaj terroriste. Rreth 50 të tjerë ishin mbajtur në objektin për emigrantët që strehon individë që nuk kanë kryer dhunë.

Exit mobile version