Mungesa e përgjegjësisë për vrasjen e stafit të Kombeve të Bashkuara dhe punonjësve të ndihmës humanitare në Gaza është “krejtësisht e papranueshme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një intervistë të mërkurën.
Gjatë intervistës ai tha edhe se krijimi i një force paqeruajtëse të OKB-së nuk do të ishte “zgjidhja më e mirë” për Haitin, ku bandat e armatosura kanë pushtuar pjesën më të madhe të kryeqytetit dhe janë zgjeruar në zonat përreth, duke nxitur një krizë humanitare me zhvendosje masive, dhunë seksuale dhe krizë urie.
Para takimit vjetor të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë këtij muaji, Guterres e përmblodhi vitin e kaluar si “shumë të vështirë, shumë të vështirë”. Situata ka qenë e dominuar nga lufta në Gaza, e cila filloi vetëm dy javë pasi udhëheqësit u larguan nga New Yorku pas asamblesë së vitit të kaluar kur militantët palestinezë të Hamasit vranë 1200 njerëz dhe morën rreth 250 pengje në një sulm ndërkufitar në Izrael.
Për situatën në Gaza, ai tha se ka pasur “shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mungesë totale të një mbrojtjeje efektive të civilëve”.
“Ajo që po ndodh në Gaza është krejtësisht e papranueshme”, tha ai.
Ushtria izraelite thotë se ndërmerr hapa për të zvogëluar rrezikun e dëmeve në civilë dhe se të paktën një e treta e viktimave palestineze në Gaza janë militantë. Ajo akuzon Hamasin për përdorimin e civilëve palestinezë si mburoja njerëzore, akuzë të cilën Hamasi e mohon./UBTNews/