Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk të mërkurën u bëri thirrje “të gjithë atyre me ndikim (të shtyjnë) për një armëpushim të zgjatur në Gaza për arsye humanitare dhe të të drejtave të njeriut”.
“Shpresoj se kjo mund të hapë rrugën për një fund të përhershëm të dhunës dhe të mbështesë përpjekjet konkrete për të arritur një paqe të qëndrueshme për palestinezët dhe izraelitët”, tha Turk gjatë një sesioni online kushtuar 75-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
“Armëpushimi aktual i përkohshëm ofron një lehtësim për civilët dhe për disa familje ribashkimet e shumëpritura me të dashurit e tyre. Por qasja në ndihmën humanitare duhet të sigurohet dhe të mbështetet në të gjithë Gazën dhe të gjitha pengjet duhet të lirohen”, tha ai.
Katari njoftoi një marrëveshje të hënën vonë për të zgjatur pauzën fillestare katërditore për dy ditë të tjera, sipas së cilës do të kryhen shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve.
Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Që atëherë janë vrarë mbi 15 mijë njerëz, duke përfshirë 6 mijë e 150 fëmijë dhe 4 mijë gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.
Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1 mijë e 200.