Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe atë turk, Recep Tayyip Erdogan në qytetin ukrainas Lviv.
Në krye të agjendës së takimi janë diskutimet për eksportet e drithit dhe shqetësimet për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, shkruan Aljazeera.
Takimi trepalësh shënon diskutimin e parë personal të Erdoganit me Zelenskyn qëkur Rusia filloi luftën e saj më 24 shkurt, megjithëse udhëheqësi turk është takuar dy herë me presidentin rus, Vladimir Putin, muajt e fundit.
Një zëdhënës i Guterres tha se shefi i OKB-së, Zelensky dhe Erdogan do të diskutojnë marrëveshjen e grurit, si dhe “nevojën për një zgjidhje politike të këtij konflikti”.
Të tre udhëheqësit do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi pas takimeve të tyre në Lviv.
Guterres, i cili mbërriti në Lviv të mërkurën pasdite, planifikon të premten të vizitojë portin e Detit të Zi të Odesa-s, ku eksportet e drithërave kanë rifilluar sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja, që synon të lehtësojë një krizë të përkeqësuar globale të ushqimit.