UBT News

Shefi i OBSH-së për Evropën: Nxehtësia ekstreme të trajtohet si një krizë shëndetësore

Një valë e fortë të nxehti që ka prekur Evropën dhe ka marrë mijëra jetë ka ngritur shqetësime serioze për gatishmërinë e sistemeve shëndetësore përballë temperaturave ekstreme.

Temperaturat në disa pjesë të kontinentit kanë arritur deri në 40°C, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të thirrjeve emergjente dhe shtim të pacientëve me probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë, përfshirë goditjen nga nxehtësia, dehidratimin dhe komplikime të tjera, veçanërisht te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, ka bërë thirrje që nxehtësia ekstreme të trajtohet si krizë shëndetësore dhe që masat parandaluese të merren para arritjes së kulmit të temperaturave.

“Gatishmëria për nxehtësinë duhet të jetë funksionale: lirimi i shtretërve, mbrojtja e pacientëve me rrezik të lartë, sigurimi i ftohjes, kontrollimi i energjisë rezervë dhe mbështetja e punonjësve të shëndetësisë”, ka deklaruar ai në një postim në rrjetin social X.

Në Francë, spitalet kanë raportuar rritje katërfish të rasteve të lidhura me nxehtësinë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar shërbimet emergjente kanë regjistruar numrin më të lartë të thirrjeve ndonjëherë, me mbi 8,800 intervenime brenda një dite.

Disa spitale të NHS-së janë detyruar të shpallin gjendje kritike për shkak të problemeve me sistemet e ftohjes, gjë që ka ndikuar në funksionimin e pajisjeve mjekësore dhe reparteve spitalore, duke rritur më tej presionin mbi shërbimet shëndetësore./A.K/

Exit mobile version