Bashkëthemeluesi i BioNTech – partneri i prodhimit të vaksinës ndaj COVID-19 të Pfizer – beson se vaksina e tyre është ende efektive në parandalimin e komplikimeve të rënda nga varianti Omicron.
Dr. Ugur Sahin, bashkëthemelues i kompanisë me bazë në Mainz, i tha Wall Street Journal se varianti mund të shkaktojë infeksione të reja me një shkallë më të lartë. Megjithatë, sapo të hyjë në trup, varianti ka të ngjarë të shkatërrohet.
Sahin beson se një person i vaksinuar do ta ketë kapacitetin e sistemit imunitar të nevojshëm për të mposhtur virusin e ndryshuar dhe inkurajon njerëzit që t’i marrin kur të munden vaksinat e tyre përforcuese.
Shumë ekspertë kanë frikë se vaksinat kundër COVID-19 nuk do të jenë efektive kundër variantit të fundit.