Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme sa i përket çështjes së faturave të energjisë elektrike në veri të vendit.
Ai ka deklaruar se zgjidhja duhet të përfshijë pagesën e atyre faturave.
Këto komente, Szunyog i bëri në Mitrovicë, pas përfundimit të ceremonisë së dorëzimit të tetë kamionëve për mbledhjen e mbeturinave në objektet e kompanisë ‘Standard’ në veri.
“Sa i përket energjisë elektrike, mendoj se është e nevojshme të gjindet një zgjidhje e qëndrueshme sa më shpejt që është e mundur, e cila në njërën anë do të ofronte furnizim të sigurt me energji elektrike, ndërsa në anën tjetër do të paguhej për energji elektrike, sepse është krejtësisht normale që njerëzit të paguajnë për të. Ne jemi duke punuar me gjithë të përfshirët që të sigurojmë këtë zgjidhje të qëndrueshme sa më shpejt që është e mundur. Mendoj se jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Szunyog.
Së fundmi, është Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cila ka ndarë mbi 10 milionë euro për mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike të qytetarëve serbë të veriut.
Qeveria Kurti ishte kritikuar për një veprim të tillë, të cilin e kishte kundërshtuar muaj më parë.
Në fund të muajit prill të këtij viti, me 6 vota për dhe 3 kundër, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka votuar që në 6 muajt e ardhshëm, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Banorët e katër komunave në veri të Kosovës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike, kurse këto borxhe deri në fund të vitit 2017 u janë faturuar qytetarëve nga viset tjera të Kosovës. Besohet se që nga përfundimi i luftës e deri më tani vlera e borxhit të energjisë elektrike në veri ka arritur vlerën e mbi 140 milionë eurove.