Shefi i Zyrës se BE-së, Tomash Szunyog dhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi kanë vizituar vendpunishten e parkingut nëntokësor në oborrin e Universitetit të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ai me këtë rast u shpreh i shqetësuar me numrin e madh të rasteve të vdekjeve në vendin e punës.
Krejt kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mosrespektimit të rregullave e pajisjeve jo të mira të punës.
“Kjo vizitë ka të bëjë lidhur me rreziqet dhe lidhur me shqetësimet tona nga rastet e shumta të lëndimeve në punë duke shënuar raste të mëdha”.
“Arsyet që vinë deri te këto raste janë mosrespektimi i rregullave, pajisjet e punës dhe të tjera. Do ta thellojmë bashkëpunimin me sektorin privat që të shikojmë problemet kryesore të shëndetit dhe sigurisë”, tha ai.
Kurse kryetari Azemi tha se kjo vizitë është në shenjë sensibilizimi që siguria në punë të jetë në një stad më të lartë, raporton EO.
“Arsyeja kryesore e kësaj vizite është si shenjë sensibilizimi që të tregojmë se siguria ka shumë rëndësi sidomos në këto vendpunishte, duke mos anashkaluar edhe pronarët e këtyre kompanive, andaj bëjmë kërkesë që ta ruajmë shëndetin tonë dhe të punëtorëve”, tha Azemi.