UBT News

Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s tha se është zhgënjyes fakti që edhe pse kanë kaluar 26 vjet,  Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.

”Shumë nga figurat e qeverisë serbe sot erdhën në jetën politike gjatë epokës nacionaliste të Millosheviqit dhe kanë trashëguar pikëpamjen e tij të shtrembëruar për historinë serbe dhe jugosllave. Por shumë serbë në opozitë dhe në shoqërinë civile e dinë të vërtetën dhe unë nuk i kam hequr shpresat që në të ardhmen të krijohet një komision i përbashkët serbo-kosovar për të vërtetën historike dhe përgjegjësinë. Millosheviqi u padit nga GJNP për krime lufte në Kosovë dhe ky proces mblodhi, gjithashtu, shumë prova. Dhe vetë Vuçiq shkoi në Srebenicë në përvjetorin e korrikut disa vite më parë. Pra, le të ngulmojmë”, tha ai.

Shea mes tjerash komentoi edhe situatën aktuale të sigurisë në rajon.

“Situata në rajon është e tensionuar aktualisht për shkak të rezistencës kokëfortë të Milorad Dodik në Republikën Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore, pas dënimit të tij nga Gjykata e Lartë në Sarajevë. Gjithashtu, qeveria serbe sapo ka dhënë dorëheqjen në vazhdën e demonstratave më të mëdha që janë parë ndonjëherë në vend kundër një qeverie në detyrë. Ne kemi, gjithashtu, ndikimin e fatkeqësisë së tmerrshme të klubeve të natës në Maqedoninë e Veriut, e cila shpresojmë se nuk do të ketë pasoja politike destabilizuese. Por NATO po e vëzhgon situatën nga afër dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka vizituar Bosnjën dhe Kosovën dhe është konsultuar me KFOR-in. Situata në rajon, aktualisht, nuk ofron shumë shpresë për përparim të menjëhershëm politik, por NATO, duke punuar ngushtë me BE-në, do të sigurohet që të ruhet mjedisi i përgjithshëm i sigurisë”, deklaroi./RTK/

Exit mobile version