Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni (Antony) Blinken, ka njoftuar sanksione të reja kundër sektorit të naftës të Iranit në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si një zgjerim të programit bërthamor të vendit, i cili ka nxitur frikën e përtërirë se po përgatitet të ndërtojë një bombë atomike.
Në një deklaratë të enjten, Blinken tha se Irani kishte zgjeruar programin e tij të pasurimit të uraniumit në muajin e kaluar “në mënyra që nuk kanë asnjë qëllim të besueshëm paqësor”.
Sipas sanksioneve të reja, 11 anije të lidhura me tre organizatat e embargos do të përcaktohen si “pronë e bllokuar”.
“Veprimet e Iranit për të rritur kapacitetin e tij pasurues janë edhe më shqetësuese në dritën e dështimit të vazhdueshëm të Iranit për të bashkëpunuar me IAEA [Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike] dhe deklaratave të zyrtarëve iranianë që sugjerojnë ndryshime të mundshme në doktrinën bërthamore të Iranit,” tha Blinken.
Ai iu referua komenteve të fundit nga Kamal Kharazzi , këshilltari i udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, se vendi mund të rishikojë doktrinën e tij të mbrojtjes për të lejuar ndërtimin e armëve bërthamore pas një serie shkëmbimesh ushtarake me Izraelin në prill./UBTNews/