Në një këshillim të nivelit 4 të udhëtimit – më i larti i këtij lloji, i lëshuar nga Departamenti i Shtetit – qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u drejtohet që “të mos udhëtojnë në Indi ose të largohen sa më shpejt që është e mundur”.
Qeveria amerikane u tha qytetarëve të saj të largohen nga India sa më shpejt që të jetë e mundur pasi kriza e vendit nga COVID-19 po përkeqësohet me një ritëm mahnitës.
Të dhënat zyrtare të enjten treguan se rastet e reja u rritën me një shifër marramendëse me 379 mijë e 257 raste gjatë 24 orëve, ndërsa 3 mijë e 645 jetë u humbën. Më shumë se 204 mijë e 800 njerëz kanë vdekur si pasojë e COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.
Për shkak të shifrave marramendëse të personave me COVID-19, qytetarëve amerikanë iu është refuzuar pranimi në spitale.
“Qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po raportojnë se u refuzohet pranimi në spitale në disa qytete për shkak të mungesës së hapësirës. Qytetarët amerikanë që dëshirojnë të largohen nga India duhet të përfitojnë nga opsionet e transportit komercial të disponueshëm tani”, thuhet në faqen e Ambasadës Amerikane dhe Konsullatave në Indi.
Virusi ka kapur popullatën e Indisë me një ashpërsi që nuk është parë në valën e tij të parë.
Izolimi global
Brenda Azisë, Hong Kong ndaloi fluturimet nga India, si dhe Pakistani dhe Filipinet, për 14 ditë nga data 20 prill. Singapori ka ndaluar hyrjen e vizitorëve afatshkurtër që kanë qenë kohët e fundit në Indi. Indonezia gjithashtu po ua mohon hyrjen njerëzve që udhëtojnë nga India.
Më tej, Mbretëria e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti kanë ndaluar fluturimet e pasagjerëve nga India. Kanada javën e kaluar ndaloi fluturimet nga India dhe Pakistani për 30 ditë. Australia ndaloi fluturimet nga India këtë javë.
Mijëra mjekë, infermierë dhe profesionistë jo-mjekësorë punojnë duke u munduar të marrin situatën nën kontroll./UBTNews
(Arjeta Ibishi, Media dhe Komunikim në UBT)