Qeveria amerikane u ka premtuar aleatëve të saj në Evropë transparencë dhe solidaritet në lidhje me bisedimet e planifikuara me Rusinë për të shqyrtuar tensionet mbi Ukrainën.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price ka thënë se dialogu do të fokusohet në qëllime të ndërsjella.
“Uashingtoni do t’i përmbahet parimit ‘asgjë rreth tyre pa ata’ kur bëhet fjalë për çështjet që prekin aleatët e ShBA-së në Evropë”, ka thënë ai, raporton atsh, transmeton UBT News.
Megjithatë, Price theksoi se dialogu strategjik mbi stabilitetin me Rusinë do të marrë një format dypalësh.
“Ne gjithmonë i kemi informuar plotësisht dhe tërësisht aleatët tanë pas takimeve të kaluara. Ne jemi të bashkuar si aleancë e NATO-s për pasojat me të cilat do të përballet Rusia nëse ajo shkon drejt Ukrainës, por ne jemi gjithashtu të bashkuar në vullnetin tonë për t’u angazhuar në diplomaci parimore me Rusinë”, theksoi ai.
Përfaqësues nga ShBA-së dhe Rusia planifikojnë të takohen në Gjenevë më 10 janar për të diskutuar tensionet në Ukrainë dhe kërkesën e Moskës për garanci sigurie.
“Rusët e dinë shumë mirë se ka disa gjëra në ato propozime që do të jenë të papranueshme për ShBA-në dhe për aleatët tanë evropianë”, tha Price për garancitë e sigurisë.