Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë të hënën se nuk ka asnjë tregues se situata me të cilën po përballen gratë iraniane do të përmirësohet.
“Fatkeqësisht, nuk ka asnjë provë që liderët iranianë po përmirësojnë mënyrën se si po i trajtojnë gratë dhe vajzat ose po e ndalin dhunën që po ua shkaktojnë protestuesve paqësorë”, tha diplomati i lartë amerikan, Antony Blinken.
Këto deklaratat erdhën pasi Prokurori i Përgjithshëm i Iranit tha të dielën e javës së kaluar se policia iraniane e moralit u shpërbë.
Tash e tre muaj Irani po përballet me protesta antiqeveritare. Ato u shkaktuan nga vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini në muajin shtator, pasi u ndalua nga policia e moralit nën dyshimet se nuk po e mbante hixhabin siç duhet.
Blinken tha se mbetet të shihet nëse qeveria islamike e Iranit do t’i “marrë parasysh” kërkesat e popullit iranian./UBTNews/