Shtetet e Bashkuara kanë “prova të bollshme” se Rusia po përdor dronët iranianë për të goditur Ukrainën, tha të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.
“Shtetet e Bashkuara filluan të paralajmërojnë në korrik se Irani po planifikonte të transferonte UAV në Rusi për t’i përdorur në luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës, dhe tani kemi prova të bollshme që këto UAV po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën kritike civile”, tha Price në një deklaratë.
Dronët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në konflikt që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës në fund të shkurtit, por përdorimi i tyre është shtuar që nga vera, kur Shtetet e Bashkuara dhe Kievi thanë se Moska i bleu dronët nga Irani.
Megjithatë, Irani ka mohuar furnizimin e Rusisë me armë, pavarësisht dëshmive për të kundërtën./UBTNews/