Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Turqinë kundër mikpritjes së udhëheqësisë së Hamasit, duke thënë se Uashingtoni nuk beson se liderët e një organizate terroriste duhet të jetojnë në rehati. Hamasi është një grup palestinez që udhëheq Gazën dhe SHBA-ja e ka në listë të zezë. I pyetur për raportimet se disa liderë të Hamasit janë zhvendosur nga Katari në Turqi, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, nuk i ka konfirmuar raportimet, por ka thënë se nuk është as në gjendje t’i hedhë poshtë ato. Ai ka thënë se Uashingtoni do t’ia bëjë të qartë Qeverisë turke që nuk mund të ketë marrëdhënie si dikur me Hamasin.
Miller ka thënë se disa liderë të Hamasit janë të paditur nga autoritetet amerikane dhe Uashingtoni beson se ata duhet t’iu dorëzohen Shteteve të Bashkuara. “Ne nuk besojmë se liderët e një organizate terroriste duhet të jetojnë rehat diku, dhe kjo përfshin edhe një qytet të madh të një aleati”, ka thënë Miller para gazetarëve. Një burim i diplomacisë turke ka hedhur poshtë raportimet se Hamasi e ka zhvendosur zyrën politike në Turqi dhe që anëtarët e grupit e kanë vizituar këtë shtet herë pas here.
Katari ka thënë javën e kaluar se e ka lajmëruar Hamasin dhe Izraelin se do t’i pezullojë përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gazë dhe një marrëveshje për lirim pengjesh, derisa të dyja palët të tregojnë seriozitet për rinisje të bisedimeve. Doha, gjithashtu, ka thënë se raportimet në media që kinse i ka kërkuar Hamasit të largohet nga ky shtet i Gjirit Arab, nuk janë të vërteta.
“Anëtarë të byrosë politike të Hamasit e vizitojnë Turqinë herë pas here. Pretendimet se byroja politike e Hamasit është zhvendosur në Turqi, nuk e reflektojnë të vërtetën”, ka thënë ky burim diplomatik.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, kritikon ashpër Izraelin për ofensivat e nisura në Rripin e Gazës dhe Liban dhe nuk e konsideron Hamasin organizatë terroriste.
Izraeli synon shkatërrimin e Hamasit dhe e lufton atë në Gazë që nga tetori i vitit të kaluar.
Lufta është nxitur nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite po atë tetor, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.