Të paktën dy persona kanë humbur jetën të mërkurën pasi dy avionë të vegjël janë përplasur në ajër në aeroportin rajonal “Marana” në shtetin e Arizonës, thanë autoritetet.
Departamenti i Policisë në Marana konfirmoi viktimat dhe tha se të dy avionët ishin avionë me një motor me krahë fiks.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) tha se aeroporti rajonal “Marana” është një fushë e pakontrolluar dhe i identifikoi avionët si “Cessna 172S” dhe “Lancair 360 MK II”, të cilët janë përplasur rreth orës 8:25 të mëngjesit me kohën lokale.
Në secilin avion kanë qenë nga dy persona. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do të udhëheqë një hetim për përplasjen.
Përplasja erdhi ndërsa administrata e Donald Trumpit po shkarkon qindra punonjës provues të FAA-së përgjegjës për mirëmbajtjen e infrastrukturës kritike të kontrollit të trafikut ajror, theksoi të hënën Sindikata e Specialistëve Profesionistë të Sigurisë së Aviacionit (PASS).