Takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë në ditët e fundit ishin “të sinqerta dhe thelbësore”, tha një zyrtar i lartë i administratës, duke shtuar se të dy palët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet, përfshirë agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimet e DPRK ndaj sigurisë rajonale në gadishullin Korean.
Takimet u zhvilluan në Langfang të Kinës dhe“janë të fundit në një seri angazhimesh dhe pjesë e diplomacisë sonë të vazhdueshme me PRC”, shpjegoi zyrtari. Dialogu pasoi takimin e Presidentit Biden me Presidentin Xi Jinping më 14 nëntor në margjinat e G20 në Bali.
Zyrtarët amerikanë u takuan me zëvendësministrin e Jashtëm kinez Xie Feng më 11 dhe 12 dhjetor. Delegacioni amerikan përfshinte Ndihmës-Sekretarin, Dan Kritenbrink, Drejtoren e Lartë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën dhe Tajvanin, Laura Rosenberger dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Kinën dhe Tajvanin, Koordinatorin e Kinës Rick Waters.
Një nga çështjet që pala amerikane theksoi ishte fakti se “kthimi në shtëpi i qytetarëve amerikanë që janë ndaluar gabimisht ose i nënshtrohen ndalimeve të daljes në Kinë është një prioritet personal për Presidentin”, tha zyrtari.
Delegacioni amerikan preku gjithashtu tema që kanë qenë tejet të rëndësishme në qasjen e politikës së administratës Biden ndaj Kinës./UBTNews/