Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ndryshuar pozicionin sa i përket njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Në përgjigjen për REL është thënë se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke”.
Çështja e njohjes është aktualizuar pas letrave të dërguara nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për ditën e shtetësisë së Serbisë, më 15 shkurt, në të cilat nuk është përmendur në mënyrë specifike njohja reciproke mes dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet njohja. Ai i ka bërë këto deklarata, teksa e ka komentuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik./REL