Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar se ka shtuar sanksionet për anëtarin serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, pas përfshirjes së tij në vepra korruptive.
Sanksionet janë vendosur edhe ndaj Televizionit ‘Alternativa’ nga Banja Lluka, që ndërlidhet me familjen e Dodikut.
Departamenti i Thesarit tha se sanksionet shprehin përkushtimin e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të promovuar llogaridhënien “për ata, që mes tjerash, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve afatgjata të paqes”.
“Dodiku ka minuar institucionet e Bosnje e Hercegovinës duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke iniciuar krijimin e institucioneve paralele në entitetin e Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës. Për më tepër, Dodik ka përdorur pozitën e tij zyrtare që ka në Bosnje për të përfituar pasuri për vete përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit”, thuhet në njoftim.
“Retorika e tij ndarëse ento-nacionaliste reflekton në përpjekjet e tij për të avancuar këto qëllime politike dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, dhe në këtë mënyrë rrezikojnë stabilitetin më të gjerë rajonal”, tha Departamenti amerikan i Thesarit.
Sipas njoftimit, sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat, interesat në prona të individëve dhe entiteteve të përfshira në sanksione, që i kanë në SHBA ose janë në pronësi apo kontroll nga qytetarët amerikanë, bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja, zyrë kjo në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit.
Gjithashtu, personave dhe entiteteve të sanksionuara u ndalohen të gjitha transaksionet me personat amerikanë.