SHBA nuk i pakësojnë, por i shtojnë trupat e përhershme në Gjermani, megjithë vëmendjen ndaj Azisë. Gjermania përfiton sërish nga gjeopolitika, këtë herë sepse nuk është në vijën e parë të frontit, shkruan Auron Dodi.
Ishte Berlini, jo kryeqyteti i ndonjë vendi tjetër ku ndaloi për herë të parë në Evropë ministri i ri amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin. Në Berlin ai qëndroi madje para se të vizitonte NATO-n, në Bruksel. Mbi të gjitha Austin solli në Gjermani një lajm të vlerësuar: administrata Biden jo vetëm që e ndaloi vendimin e paraardhësit Trump për të tërhequrnjë të tretën e ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani. Pra “tërheqja u ndërpre”, siç u shpreh Austin.
Por Bideni madje e ktheu në të kundërtën vendimin e Trumpit. Austin njoftoi të martën (13.04.) në Berlin se SHBA do të stacionojnë edhe 500 ushtarë të tjerë “në mënyrë të përhershme” në Gjermani. Stacionimi do të bëhet që këtë vjeshtë në zonën e Wiesbadenit, në jugperëndim të Gjermanisë. Me këtë, numri i përgjithshëm i trupave amerikane në Gjermani arrin në 35.000 vetë.
Annegret Kramp-Karrenbauer dhe Lloyd Austin (13.04.2021)
Joe Bideni bën me këtë një hap konkret për riparimin e marrëdhënieveme Gjermaninë, të dëmtuara nga paraardhësi i tij në post, Donald Trump.
Midis Azisë dhe Evropës: SHBA forcojnë praninë në Gjermani
Në një kohë kur vitet e fundit politika e jashtme e SHBA është përqendruar më fort në Azi, administrata e re po bën tani në Evropë një hap në mbështetje të NATO-s, në mbështetje të Gjermanisë. Stacionimin e trupave amerikane në Gjermani Lloyd Austin e quajti të mirë „për SHBA dhe për NATO-n”.
Ministri amerikan i Mbrojtjes tha në Berlin se Gjermania “do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm i sigurisë dhe ekonomik për Shtetet e Bashkuara në vitet e ardhshme” për shkak të „dinamikës globale në ndryshim” dhe një “mjedisi të vështirë të sigurisë”. Më tej ai tha se “forcimi i marrëdhënieve tona me Gjermaninë ka përparësi të lartë, për administratën Biden/Harris”.
Elementët e karrierës personale i dhanë nota të përzemërta fjalëve të ministrit amerikan të Mbrojtes në Berlin. Lloyd Austin, që sot është gjeneral në pension tha se ruan kujtimet më të mira për njerëzit dhe kulturën gjermane, nga koha kur ka shërbyer vetë si nëntoger, te trupat amerikane në Gjermani.
Njëkohësisht, në vendimin e fundit amerikan për shtimin e trupave në Gjermani disa vëzhgues në Gjermani duan të shohin një rikthim të frymës së Luftës së Ftohtë. E freskët është në kujtesën kolektive në Gjermani koha kur Gjermania ishte në vijën e parë të frontit përballë bllokut komunist. Dhe kur forcohej nga aleatët në mbrojtje të Perëndimit.
Por sot, zhvillimet gjeopolitike duket se po e favorizojnë Gjermaninë pikërisht sepse nuk është më në vijën e parë të frontit. Megjithë këmbënguljen e Polonisë, Trumpi nuk stacionoi masivisht trupa amerikane atje: pamja e konfrontimit me rusët në Poloni do të ishte direkte.
Dinamika globale në ndryshim dhe Rusia
Ministri amerikan i Mbrojtjes mbajti qëndrim të mbuluar kur e pyetën në konferencën e shtypit në Berlin, nëse forcimi i pranisë në Gjermani ka të bëjë me veprimet e Rusisë.
Ai tha se vendimi është një mesazh për NATO-n, “se ne e mbështesin NATO-n në përmasat më të gjera”. Dhe se “më e rëndësishmja, ne e vlerësojmë marrëdhënien tonë me partneren tonë këtu, Gjermaninë”.
Joe Biden dhe Vladimir Putin
Por këto fjalë dhe roli që u përshkroi ai trupave shtesë amerikane në Gjermani flasin për vëmendje amerikane ndaj Rusisë. Austin tha se me forcat e reja përmirësohen aftësitë për parandalim të konfliktit. “Dhe në rast nevoje, aftësia jonë për të luftuar dhe fituar.” Me to shtohen kapacitetet për aftësi luftarake kibernetike dhe elektronike.
Sidoqoftë, në 50 vitet e fundit, amerikanët kanë bërë investime të mëdha ushtarake në Gjermani. Kryesisht në landet federale jugore të Bavarisë dhe të Baden-Vyrttembergut si dhe të Rajnland-Pfalcit. Në bazën ajrore të Shpangdalemit (Spangdahlem) dhe në Ramshtajn (Ramstein), në Rajnland-Pfalc amerikanët kanë stacionuar madje një arsenal armësh bërthamore. Dhe në janar 2020, para vendimit (tani të anuluar) të Trumpit për tërheqje, amerikanët sapo nisën modernizimin e atyre bazave, me një investim prej gati gjysmë miliarde dollarësh (425 milionë dollarë).
„Nordstream 2 nuk duhet të na pengojë marrëdhënien me Gjermaninë”
Edhe administrata Biden e kundërshton qartë gazsjellësin Nordstream2, që do të sjellë gaz nga Rusia në Gjermani e Evropë. Por ajo mban një qëndrim më pragmatik se parardhësja. Ministri Austin tha për Nordstream 2 se “ne kemi shprehur kundërshtimin tonë ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndikimit që do t’i japë ajo në të vërtetë Rusisë. Por ne nuk do ta lejojmë atë çështje të pengojë një marrëdhënie të jashtëzakonshme, që kemi me shtetin e Gjermanisë”.
Kurse ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer qe skeptike nëse do të sillte gjë pezullimi i ndërtimit të gazsjellësit, i cili tani është në kilometrat e fundit. Megjithatë ajo tha se sa gaz do të kalojë përmes tubacionit, kjo duhet të varet gjithashtu nga sjellja e Rusisë.
Merkel dhe Biden në Berlin (01.02.2013)
Vlerësime amerikane për investimet ushtarake të Gjermanisë
Administrata Biden i përmbahet kërkesës që edhe Gjermania të investojë për mbrojtjen dy përqind të produktit të brendshëm bruto. Po edhe qeveria gjermane e ka këtë synim. Ministrja e Mbrojtjes, Kramp-Karrenbauer tha se “ne investojmë me synim të caktuar dhe i ofrojmë aftësitë tona”. Kështu vetëm këtë vit buxhetor, Gjermania po investon për ushtrinë 2.5 miliardë euro më shumë, të paparashikuara.
Që nga viti 2014 shpenzimet gjermane për mbrojtjen janë shtuar me 57 përqind.
Gjermania do të luajë rol drejtues qëndror dhe me disa brigada moderne, në Very High Readiness Joint Taskforce, në trupën e ndërhyrjes së shpejtë të NATO-s. Në gjashtëmujorin e dytë, të këtij viti, Gjermania do të dërgojë edhe fregatën Bayern në rajonin e Indo-Paqësorit. Për të gjitha këto falenderoi në Berlin edhe ministri amerikan i Mbrojtjes.
Hapi amerikan për rigjallërimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, të dëmtuara nën administratën Trump, vjen në kohën e duhur. Ftohja e skajshme e nisur nga Trumpi i nxiti gjermanët të mendojnë më seriozisht për sigurinë e tyre, duke shtuar masivisht investimet ushtarake.
Por paralelisht ajo nxiti një frymë të thellë mosbesimi antiamerikane në Gjermani, të tillë sa pritej që marrëdhëniet me SHBA të shfrytëzoheshin si temë elektorale këtë vjeshtë. Në botën e sotme dinamike SHBA nuk mund të jenë të interesuara të humbasin aleaten e tyre më të sigurtë në Evropë, fuqinë kryesore ekonomike të Evropës. Nga fillimi i ri në marrëdhëniet SHBA-Gjermani përfitojnë të dyja palët.