Shtetet e Bashkuara po e shqyrtojnë mundësinë e dërgimit në Ukrainë të sistemit të mbrojtjes ajrore HAWK. Ky sistem kundërajror është më i vjetër dhe do të merrej nga stoqet e ushtrisë amerikane për t’i ndihmuar forcat e Kievit që të rrëzojnë dronë dhe raketa ruse, thanë zyrtarët amerikanë.
HAWK, është një sistem përgjues i raketave tokë-ajër, me rreze të mesme veprimi dhe nëse dërgohet në Ukrainë, do të ishte një sistem më i avancuar sesa Stinger – që është një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze më të shkurtër veprimi – që SHBA-ja i ka ofruar tashmë Ukrainës. HAWK është i ndërtuar sipas teknologjisë së epokës së Vietnamit, por që atëherë sistemi është përditësuar disa herë.
Sistemi HAWK është paraardhës i sistemit të mbrojtjes raketore PATRIOT që prodhohet nga Raytheon Technologies, të cilin SHBA-ja ka thënë se nuk do ta dërgojë në Ukrainë, thanë zyrtarët amerikanë, që folën në kushte anonimiteti për agjencinë Reuters. Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka premtuar homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Uashingtoni do t’i japë Kievit sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, pas një vale shkatërruese të sulmeve ajrore të kryer gjatë këtij muaji nga Rusia ndaj caqeve cilivile dhe infrastrukturës ukrainase.
Që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-ja ka dërguar ndihmë ushtarake në Kiev në vlerë prej 17.6 miliardë dollarësh./REL