Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj një rrjeti subjektesh dhe individësh, për të cilët thotë se ishin të përfshirë në furnizimin e Rusisë me teknologji ushtarake, të cilat përdoren në luftën e saj kundër Ukrainës.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha në një deklaratë, më 14 nëntor, se pjesë e këtyre sanksioneve është një rrjet transnacional që i mundësoi Rusisë furnizimin me armë.
Në total janë sanksionuar 14 individë dhe 28 organizata apo subjekte, si dhe janë identifikuar tetë avionë si pronë e bllokuar, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Uashingtoni ka vënë sanksione edhe ndaj firmave të mëdha industriale ushtarake në Rusi, dhe ka bërë lëvizje për të ndërprerë eksportet e komponentëve të prodhuar nga Amerika dhe teknologjive amerikane që janë përdorur në disa nga pajisjet ushtarake të Rusisë.
Kjo e ka shtyrë Kremlinin të kërkojë furnizues të tjerë ushtarakë si Irani, i cili ka furnizuar Moskën me dronë, që thuhet se janë pjesë e breshërisë së sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës.
Milandr, një kompani ruse mikro-elektronike që SHBA-ja thotë se është pjesë e strukturës së kërkimit dhe zhvillimit ushtarak të Moskës, u vendos në listë, si dhe tri sbjekte të lidhura me kompaninë dhe disa drejtues të saj.
Sanksionet prekën gjithashtu familjen e oligarkut miliarder, Suleiman Kerimov, i cili ishte vendosur në listën e zezë në shtator, dhe një rrjet njerëzish rreth bizneseve me të cilat ai është i lidhur.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndërpresin zinxhirët e furnizimit ushtarak të Kremlinit dhe t’i mohojnë Rusisë pajisjet dhe teknologjinë që i nevojiten për të zhvilluar luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”, tha sekretarja e Thesarit amerikan, Janet Yellen.