Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj liderit të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake të Sudanit (RSF), Mohamed Hamdan Dagalo (i njohur si Hemedti), duke e akuzuar për kryerjen e gjenocidit në luftën civile të vendit.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se RSF ka kryer krime të rënda kundër njerëzimit, duke përfshirë vrasjen dhe përdhunimin sistematik të anëtarëve të grupeve të caktuara etnike, si pjesë e një fushate të qëllimshme dhe brutale dhune në rajonin e Darfurit.
RSF, që përbëhet kryesisht nga luftëtarë arabë etnikë, është përfshirë në një seri mizorish ndaj grupeve joarabe, përfshirë komunitetin Massalit. Blinken theksoi se “RSF dhe milicitë e lidhura me të kanë vrarë burra dhe djem, madje edhe foshnja, mbi baza etnike, duke shënjestruar gra dhe vajza për dhunë seksuale brutale”.
Për më tepër, grupi ka bllokuar ndihmat humanitare në territorin e tij dhe ka vrarë njerëz të pafajshëm që përpiqeshin t’i shpëtonin konfliktit.
Sanksione të ashpra kundër liderit dhe aleatëve
Sanksionet e SHBA-ve përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e transaksioneve për Hemedti dhe shtatë kompani të lidhura me RSF në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një individ tjetër, i cili ndihmoi në blerjen e armëve për RSF, u përfshi gjithashtu në listën e sanksioneve. Emiratet e Bashkuara Arabe, të akuzuara për mbështetje ndaj RSF-së nga raportet e OKB-së, kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen e tyre.
Lufta civile në Sudan shpërtheu më 15 prill 2023, pas përplasjeve mes Hemedtit dhe gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, lideri i Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF). Konflikti ka shkaktuar një krizë humanitare masive: Pothuajse 650,000 njerëz përballen me zi buke, mbi 30 milionë persona kanë nevojë për ndihmë humanitare, dhjetëra mijëra janë vrarë nga dhuna.
Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për përkeqësim të situatës në vitin 2025, me rritje të zhvendosjeve, urisë dhe shpërthimeve të sëmundjeve. Blinken deklaroi se sanksionet kundër RSF-së nuk nënkuptojnë mbështetje për SAF, duke theksuar se të dyja palët janë përgjegjëse për dhunën. SAF është akuzuar për sulme ajrore vdekjeprurëse në territoret e kontrolluara nga RSF.
John Prendergast, bashkëthemelues i organizatës mbikëqyrëse “The Sentry”, e quajti veprimin e administratës Biden si një hap të rëndësishëm për të mbajtur përgjegjës ata që janë pas mizorive më të rënda në botë. Sanksionet e SHBA-ve ndaj RSF pasojnë përcaktimin e gjenocidit të kryer nga milicitë Janjaweed në Darfur 21 vite më parë, një tragjedi që ngjalli ndërgjegjen ndërkombëtare. /Euronews/