Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme – në kuadër e konfliktit të vazhdueshëm midis Izraelit dhe Iranit, tha dje në mbrëmje sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Hegseth drejtoi dislokimin e pajisjeve shtesë ne CENTCOM gjatë fundjavës. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) është përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të SHBA-së në 20 vende në Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe Jugore, si dhe në rrugët ujore strategjike që i rrethojnë ato.
“Mbrojtja e forcave amerikane është përparësia jonë kryesore dhe këto dislokime kanë për qëllim të përmirësojnë mbrojtjen në rajon”, shkroi ai në X.
Media amerikane raportoi se një aeroplanmbajtëse e dytë po dërgohej në Lindjen e Mesme, me “USS Nimitz” që do të tërhiqet nga Azia më herët se sa ishte planifikuar.
CENTCOM mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në rajon, në Irak, Katar, Kuvajt, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tensionet e gjata midis Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar në luftë të hapur, me të dyja palët që kanë nisur sulme me raketa dhe qindra viktima të raportuara në Iran.
Të premten, Izraeli sulmoi me raketa territorin iranian, duke përfshirë centrale bërthamore, ndërtesa mbrojtëse, objektiva urbane dhe infrastrukturë nafte dhe gazi.
Si Izraeli ashtu edhe Irani thanë se gjatë sulmeve ishin vrarë disa oficerë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Teherani i quajti sulmet një shpallje lufte dhe u hakmor, me disa viktima të regjistruara në Izrael./atsh