Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, ka thënë se qyteti lindor i Ukrainës i shkatërruar nga lufta, Bakhmut, është simbolikisht i rëndësishëm për Rusinë e jo operacionalisht, dhe kapja e tij nuk sinjalizon që Moska ka rifituar vrullin në përpjekjet e saj të luftës njëvjeçare.
Gjatë javës së kaluar, luftimet pranë qytetit të Bakhmutit janë intensifikuar, dhe forcat ruse po sulmojnë pothuajse nga të gjitha anët.
“Mendoj se ka më shumë një vlerë simbolike sesa një vlerë strategjike dhe operacionale”, u tha Austin gazetarëve të hënën gjatë vizitës në Jordani, teksa shtoi se nuk e parashikon nëse ose kur Rusia do ta marrë Bakhmutin.
“Rënia e Bakhmutit nuk do të thotë domosdoshmërisht se rusët kanë ndryshuar rrjedhën e kësaj lufte”, shtoi Austin./UBTNews/