Rritja e numrit të popullsisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë më e vogla ndonjëherë në vitin e parë të pandemisë.
Ndër shkaqet kryesore janë përmendur: imigrimit i ulët, shtyrja e shtatzënive dhe qindra mijëra vdekje të lidhura me koronavirusin.
Byroja e Regjistrimit në Shtetet e Bashkuara ka treguar se popullsia është rritur për 0.1 për qind apo për 392 mijë e 665 persona në periudhën korrik 2020 – korrik 2021.
Kjo rritje e ka çuar totalin e popullsisë në 331.8 milionë banorë, raporton REL.
Rritja e numrit të popullsisë është përballur me ritme të ngadalshme në ShBA edhe në të kaluarën, mirëpo shifrat e fundit janë edhe rezultat i pandemisë.
“Kam pritur ulje, por jo kaq shumë”, thotë William Frey, hulumtues i lartë në Institutin Brookings, në një përgjigje për agjencinë e lajmeve Asscicated Press.
“Kjo na tregon se pandemia ka pasur ndikim të madh në të gjitha fushat, tani edhe në demografi. Ne kemi popullsi që po plaket dhe kjo nënkupton se më pak gra janë në moshën e riprodhimit. Shohim të rinjtë që janë duke shtyrë moshën kur duan të kenë fëmijë dhe ata duan të kenë më pak fëmijë”, shton ai në përgjigjen e tij.
Një tjetër raport i publikuar më 21 dhjetor ka treguar se jetëgjatësia ka rënë për 1.8 vjet më 2020 në ShBA.
Kjo njëherësh është ulja më e madhe për më shumë se 75 vjet. Shkak edhe këtu është përmendur pandemia.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, jetëgjatësia mesatare e një njeriu tani shkon në 77 vjet për dallim nga 78.8 sa ka qenë më 2019./REL