Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal thotë se deficiti buxhetor i vendit këtë vit pritet të arrijë në 38 miliardë dollarë, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës po angazhohen për të siguruar më shumë se 10 miliardë dollarë mbështetje buxhetore deri në muajin shtator.
Shmyhal deklaroi kështu pas bisedimeve në Kiev me Sekretaren e Thesarit të SHBA, Janet Yellen.
“Në vitin 2022, Shtetet e Bashkuara ishin lidere në mesin e të gjitha vendeve partnere për sa i përket ndihmës financiare të ofruar”, tha Shmyhal, duke ofruar 13 miliardë dollarë mbështetje.
“Këto mjete u ndanë për programet e kujdesit shëndetësor, arsimit, ndihmës sociale dhe humanitare”, deklaroi ai tutje.
Këtë vit, ai tha, “Shtetet e Bashkuara janë zotuar t’i ofrojnë Ukrainës më shumë se 10 miliardë dollarë deri në shtator. Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara mbështesin Ukrainën në rimëkëmbjen e saj të shpejtë. Përkatësisht, ata kanë ndarë 1.5 miliard dollarë për këtë qëllim dhe 1.1 miliard dollarë të tjera për të mbështetur rimëkëmbjen e shpejtë të sektorit energjetik të Ukrainës dhe Moldavisë”.
Shmyhal tha se po prezantohet një platformë e re për të ndihmuar në koordinimin e punës së vendeve të G7-ës dhe organizatave financiare ndërkombëtare, sikurse FMN-ja dhe Banka Botërore, në lidhje me mbështetjen financiare për Ukrainën./UBTNews/