Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka vendosur të pezullojë për një periudhë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.
Në deklaratën e publikuar nga Ambasada thuhet se ky vendim është marrë për shkak të shqetësimeve rreth veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë, duke vështirësuar bashkëpunimin produktiv mbi prioritetet e përbashkëta.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhet në deklaratë.
Dialogu strategjik kishte për synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve, në interes të qytetarëve.