Shtetet e Bashkuara thonë se ka prova se ushtarë të Koresë së Veriut kanë shkuar në Rusi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carla Babb konfirmimi nga zyrtarët amerikanë erdhi një ditë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se dy njësi ushtarake të Koresë së Veriut po stërviten në Rusi mesa duket për t’u dërguar në frontin e luftës në Ukrainë.
Zyrtarët amerikanë thonë se është e paqartë nëse, kur dhe si trupat e Koresë së Veriut që gjenden në Rusi mund të përfshihen në luftën kundër Ukrainës.
“Çfarë po bëjnë saktësisht? Mbetet për t’u parë”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Përfshirja e disa mijëra trupave të Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë mund të ketë ndikim të vogël në fushën e betejës. Por analistët thonë se implikimet politike do të ishin shumë të mëdha.
“Koreja e Veriut duket se po lëviz nga një partneritet strategjik me Rusinë, që siguron armë në mbështetje të luftës së Moskës, pa marrë pjesë vetë në fushën e betejës, në një partner që merr pjesë në luftë. Kjo e bën marrëdhënien midis Rusisë dhe Koresë së Veriut një aleancë”, thotë Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Shtëpia e Bardhë ngriti shqetësimin për këtë marrëdhënie që e quajti të pamatur dhe të rrezikshme.
“Shqetësimi nuk është vetëm për luftën në Ukrainë, por ndikimi që kjo mund të ketë në rajonin e Indo-Paqësorit, dhe nga kjo në një farë mase përfiton (udhëheqësi koreano verior) Kim Jong Un”, tha të mërkurën John Kirby, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Zoti Kirby tha se Uashingtoni do të kontaktojë Pekinin për të mësuar se si e sheh Kina këtë veprim. Ai gjithashtu bëri një paralajmërim për Phenianin:
“Nëse ushtarët e Koresë së Veriut vendosin të përfshihen në luftën kundër Ukrainës, ata bëhen objektiv ushtarak”.
Përsa i përket Rusisë, zoti Kirby tha se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës do të ishte një shenjë e dëshpërimit dhe dobësisë së Presidentit Vladimir Putin.
“Nëse ai detyrohet të kërkojë ushtarë në një vend të huaj, mendoj se kjo flet shumë sa e pasigurt, sa e paqëndrueshme është gjendja në të cilën ndodhet”.
Shtetet e Bashkuara u zotuan se do të vendosin sanksione të reja në ditët në vijim që synojnë individët dhe grupet jashtë Rusisë që kanë mbështetur luftën e Rusisë.