Departamenti Amerikan i Shtetit e ka refuzuar ofertën e presidentit rus, Vladimir Putin, për bisedime, uke thënë se s’është diplomaci e vërtetë.
Duke folur para gazetarëve në Uashington të premten, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “në tytën e armës”.
“Që të zhvillohet diplomacia, veprimi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen”, tha ai.
Deri më tani, shtoi Price, ShBA-ja nuk ka parë tregues se Putin ka vullnet që ta lë diplomacinë të jetë e suksesshme.
Të premten, Kremlini tha se Putini ishte i gatshëm për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion ukrainas në Bjellorusi rreth “neutralitetit” dhe “çmilitarizimit” të vendit./UBTNews/