Zyrtarët e Kentakit u shprehën të lehtësuar pasi dhjetëra punonjës të një fabrike duket se u kanë mbijetuar tornadove që morën jetën e të paktën 88 njerëzve dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në gjashtë shtete, përcjell UBT News.
Guvernatori Andy Beshear tha se 74 vdekje janë konfirmuar në shtetin juglindor ndërsa u tha gazetarëve se viktimat varionin nga mosha pesë muajshe deri në 86 vjeç.
Guvernatori tha se 109 njerëz në Kentaki ende nuk janë gjetur dhe “mund të nevojiten javë përpara se të kemi llogaritjet përfundimtare si për vdekjet ashtu edhe për nivelet e dëmeve”. Ai shtoi se nuk dyshon që do të ketë edhe më shumë të vdekur.
Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë nga ajo që guvernatori e përshkroi si stuhinë më të keqe në historinë e shtetit. Zyrtarët thanë se 26,500 klientë të Kentakit mbetën pa energji të hënën.
Randy Guennel, një pensionist 79-vjeçar, mbijetoi dy ditë me gruan e tij të sëmurë në shtëpinë e tyre të shkatërruar.
“Ne kemi punuar kaq shumë vite për të gjithë këtë dhe tani është në tym”, tha ai. “Ne nuk kemi një shtëpi, një makinë, asgjë”.
Presidenti Joe Biden tha se do të vizitojë Kentakin gjatë ditës së nesërme dhe do të vëzhgojë dëmet në Mayfield./UBTNews/