UBT News

SHBA “nuk është e përgatitur” për zonën e ndalim-fluturimit” në Ukrainë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë të premten se pavarësisht thirrjeve nga Kievi, Uashingtoni nuk është i përgatitur për të mbështetur zonën e ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi konflikti do të përshkallëzonte me Rusinë “në nivel krejt tjetër”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje për zonë të ndalim-fluturimit disa herë, prej kur Moska ka nisur pushtimin e paprovokuar më 24 shkurt, dhe ka përsëritur këtë thirrje më 4 mars, pasi Rusia ka sulmuar centralin më të madh bërthamor në Evropë, i cili gjendet në jug të Ukrainës.

Mirëpo Price ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nga Brukseli se, ndonëse Perëndimi është duke bërë çka ka mundësi për të mbrojtur Ukrainën “vendosja e forcave të NATO-s në kontakt potencial apo konflikt me Rusinë do ta çonte konfliktin në nivel krejt tjetër”.

“Kjo nuk është diçka për të cilën është e përgatitur SHBA-ja”, ka thënë ai.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendet anëtare të aleancës janë pajtuar që asnjë aeroplan i tyre nuk duhet të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës dhe se trupat e tyre nuk duhet të jenë të pranishme në Ukrainë gjatë sulmit rus në këtë shtet, pavarësisht thirrjeve të Kievit për të zbatuar masën e ndalim-fluturimit.

Duke folur nga Brukseli më 4 mars, pas takimit me ministra të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, Stoltemberg i ka bërë thirrje sërish presidentit rus, Vladimir Putin që të ndalë luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, “menjëherë dhe pa kushte”.

Stoltenberg e ka pranuar se Rusia ka mundësi të rrisë sulmet në Ukrainë, dhe se ditët në vijim “mund të jenë më të këqija”.

Price ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të vazhdojnë të rrin sanksionet kundër Moskës për veprimet e saj agresive, duke paralajmëruar se “nëse presidenti rus, Vladimir Putin vazhdon të përshkallëzojë situatën, ne do të përshkallëzojmë përgjigjen tonë”.

Ai ka thënë se Perëndimi duhet të mbajë të hapur rrugën diplomatike, ndonëse diplomacia “duket se nuk do të triumfojë në këto kushte kur Rusia vazhdon të lëshojë raketa dhe kur forcat e saj avancojnë”.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Exit mobile version