UBT News

SHBA njofton tarifa të reja doganore ndaj 14 ekonomive, Kina dhe Vietnami preken më së shumti

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar vendosjen e një sërë tarifash të reja doganore ndaj 14 prej partnerëve të tyre kryesorë tregtarë, në kuadër të një përpjekjeje të re për të kufizuar praktikat tregtare që, sipas administratës amerikane, dëmtojnë industrinë vendore.

Masat vijnë pas një hetimi të zhvilluar në bazë të nenit 301 të legjislacionit tregtar amerikan, i cili shqyrtoi kapacitetet e tepërta prodhuese dhe ndikimin e tyre në sektorët e industrisë përpunuese.

Në mesin e ekonomive që përfshihen në këto hetime janë Kina, Bashkimi Evropian, Singapori, Zvicra, Indonezia, Malajzia, Kamboxhia, Tajlanda, Koreja e Jugut, Vietnami, Tajvani, Bangladeshi, Japonia dhe India.

Normat e tarifave do të ndryshojnë në varësi të shtetit dhe produkteve të prekura. Kina përballet me tarifat më të larta, deri në 40 për qind, e ndjekur nga Vietnami me deri në 35 për qind. Ndërkohë, ekonomitë e tjera do të përballen me tarifa prej 20 ose 25 për qind.

Megjithatë, në disa raste, ndikimi i këtyre masave pritet të jetë më i kufizuar, për shkak të kufizimeve maksimale të përcaktuara në marrëveshjet tregtare që presidenti Donald Trump ka arritur më herët me disa prej këtyre vendeve.

Në prill të vitit të kaluar, Trump kishte shpallur një valë të gjerë tarifash doganore ndaj partnerëve tregtarë të SHBA-së në mbarë botën, duke u mbështetur në kompetencat emergjente presidenciale. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre masave më vonë u rrëzua nga Gjykata e Lartë e SHBA-së.

Për këtë arsye, tarifat e reja, të njoftuara të mërkurën, konsiderohen si një përpjekje e re e administratës Trump për të rikthyer politikën e saj tarifore, por përmes një baze tjetër ligjore.

Sipas ekspertit të tregtisë Jayant Menon nga Instituti ISEAS-Yusof Ishak, i cili ka folur për BBC-në, qasja e re dallon nga ajo e vitit të kaluar, pasi përfshin një numër më të vogël ekonomish dhe norma kryesisht më të ulëta e më të njëtrajtshme.

Masat e reja bazohen në një hetim disa mujor të urdhëruar nga Shtëpia e Bardhë, i cili shqyrtoi praktikat e punës dhe tregtisë në këto ekonomi, si dhe ndikimin e mundshëm të tyre në tregun amerikan. Sipas Menon, kjo qasje mund t’i bëjë tarifat më të qëndrueshme përballë sfidave të mundshme ligjore.

Foto: Associated Press

D.L

Exit mobile version