Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi të premten ndihma të reja ushtarake me vlerë 275 milionë dollarë për Ukrainën, ndërsa Kievi po përballon me vështirësi avancimin e forcave ruse në rajonin Kharkiv.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se paketa e re e ndihmave, për të cilën u fol paraprakisht të enjten nga dy zyrtarë amerikanë, “është pjesë e përpjekjeve tona për ta ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë sulmin e Rusisë pranë Kharkivit”.
“Ndihmat e dhëna më herët kanë mbërritur tashmë në vijën e frontit dhe do t’i transportojmë me shpejtësinë më të madhe të mundshme edhe ndihmat e reja, në mënyrë që ushtria ukrainase të mundet t’i përdorë për të mbrojtur territorin e tyre dhe për të mbrojtur popullin ukrainas”, tha sekretari Blinken nëpërmjet një deklarate.
“Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni ndërkombëtar që kemi ngritur do të vazhdojmë të qëndrojmë përkrah Ukrainës në mbrojtje të lirisë së saj”, tha ai.
Paketa e re e ndihmave përmban ndër të tjera sisteme raketash të lëvizshmërisë së lartë HIMARS, si dhe predha të kalibrit 155 mm dhe 105 mm, që janë tepër të nevojshme për goditjet me artileri. Paketa përmban gjithashtu sisteme antitank Javelin dhe AT-4, mina antitank, autoblinda taktike, armë të lehta dhe municione.
Me paketën më të fundit të ndihmave, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë tashmë për Ukrainën ndihma ushtarake me vlerë të përgjithshme rreth 51 miliardë dollarë, që kur Rusia filloi sulmin ushtarak në shkurt 2022.
Në fjalën e tij të mbrëmjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha se vizitoi Kharkivin të premten dhe pati një takim atje me zyrtarë ushtarakë, krerët e shërbimeve speciale dhe autoritetet rajonale dhe ato të qytetit.
Presidenti Zelenski vuri në dukje se forcat ukrainase arritën të merrnin nën kontroll zonat kufitare në pjesët veriore të Kharkivit, ku forcat ruse filluan një sulm këtë muaj./VOA/