Presidenti Joe Biden nënshkroi në fund të javës një ligj që ndalon praktikisht të gjitha importet nga rajoni kinez i Xinjiang-ut, kjo për shkak të shqetësimeve rreth punës së detyruar.
Projektligji ndalon importin e të gjitha mallrave nga rajoni nëse kompanitë nuk ofrojnë prova të verifikueshme që prodhimi nuk përfshinte punë të detyruar.
Projektligji për ndalimin e punës së detyreshme të ujgurëve i kushton vëmendje tre produkteve në veçanti: pambukut, prej të cilit Xinjiang është një nga prodhuesit kryesorë në botë; domateve; dhe një lloj materiali që përdoret për prodhimin e paneleve diellore.
Në një lëvizje të rrallë të përkrahur nga dy partitë, Senati votoi unanimisht duke i bërë Shtetet e Bashkuara vendin e parë që ndalon pothuajse të gjitha importet nga rajoni.
Ligji kërkon gjithashtu që presidenti amerikan të vendosë sanksione ndaj zyrtarëve kinezë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut në rajon.
Ekspertët e të drejtave, dëshmitarët dhe qeveria amerikane tregojnë se më shumë se një milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë që flasin turqisht janë të burgosur në kampe, kjo si një përpjekje e Kinës për të çrrënjosur traditat e tyre dhe për t’i asimiluar ato me forcë në shumicën Han të vendit.
Uashingtoni e ka përshkruar këtë fushatë si gjenocid, dhe ka goditur tashmë disa zyrtarë dhe biznese kineze me sanksione, madje ka njoftuar edhe një bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike të Pekinit si shenjë proteste./UBTNews/