Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dielën i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të “votojë menjëherë” për të autorizuar dërgimin e ndihmës së OKB-së për Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga rebelët, përmes më shumë pikave kufitare nga Turqia, pas tërmetit vdekjeprurës të javës së kaluar.
Që nga viti 2014, OKB-ja ka dërguar ndihma për miliona njerëz në nevojë në pjesën veriperëndimore të Sirisë së shkatërruar nga lufta përmes Turqisë nën një mandat të Këshillit të Sigurimit. Megjithatë aktualisht është i kufizuar në përdorimin e vetëm një kalimi kufitar.
“Tani për tani, çdo orë ka rëndësi”, tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadorja e SHBA në OKB, në një deklaratë për Reuters. “Njerëzit në zonat e prekura po llogarisin te ne”.
“Ne nuk mund t’i zhgënjejmë ata – ne duhet të votojmë menjëherë për një rezolutë për të marrë parasysh thirrjen e OKB-së për autorizimin e kalimeve kufitare shtesë për dërgimin e ndihmës humanitare”, tha ajo.
Shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths, i cili ndodhet në Turqi dhe do të vizitojë Sirinë, i tha Sky News të shtunën se do t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të autorizojë ofrimin e ndihmave përmes dy pikave të tjera kufitare./UBTNews/