Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që aleatët evropianë të NATO-s dhe Kanadaja të rrisin me shpejtësi numrin e aeroplanëve, dronëve dhe anijeve që kontribuojnë në planet mbrojtëse të aleancës, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Alexus Grynkewich, komandanti më i lartë i NATO-s dhe kreu i forcave amerikane në Evropë.
Deklarata e tij vjen pas vendimit të administratës së presidentit Donald Trump për të zvogëluar kapacitetet ushtarake amerikane në dispozicion të NATO-s në rast krizash. Trump ka kërkuar vazhdimisht që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit dhe të reduktojnë varësinë nga mbështetja ushtarake amerikane.
Sipas raportimeve, SHBA-ja muajin e kaluar i njoftoi aleatët për reduktimin e kontributit në kuadër të Modelit të Forcës së NATO-s, një mekanizëm që përfshin forcat e gatshme për t’u aktivizuar në raste krizash apo konfliktesh.
Megjithëse Uashingtoni nuk ka bërë publike detajet e plota të shkurtimeve, ato raportohet se përfshijnë aftësi të rëndësishme ushtarake, si furnizimi me karburant i aeroplanëve, aeroplanët luftarakë, dronët dhe asetet detare.
Pas takimit të planifikuesve ushtarakë të NATO-s, Grynkewich theksoi se aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare, janë fushat ku aleatët evropianë dhe Kanadaja mund të ndërhyjnë më shpejt për të mbuluar boshllëqet që do të krijohen nga reduktimi i pranisë amerikane.
“Aeroplanët me dhe pa pilot, si dhe anijet detare janë dy fusha ku Kanadaja dhe aleatët evropianë mund të ndërmarrin hapa tani dhe në afat të shkurtër, ndërsa Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë forcat sipas Modelit të Forcës së NATO-s në Evropë dhe i rifokusojnë ato diku tjetër”, ka deklaruar ai.
Gjenerali amerikan shtoi se ka ekzistuar një varësi e tepërt nga forcat amerikane brenda strukturës së NATO-s dhe se kjo situatë duhet të ndryshojë.
“Ka pasur një bashkëvarësi të pashëndetshme në Modelin e Forcës së NATO-s nga forcat amerikane. Presidenti Trump, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe të tjerë e kanë bërë të qartë se kjo duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë”, u shpreh Grynkewich.
Sipas tij, zhvillimet globale dhe mundësia e konflikteve të njëkohshme në rajone të ndryshme të botës kërkojnë që aleatët të marrin një rol më të madh në garantimin e sigurisë kolektive të NATO-s.
Burimi: Reuters.
