Kritiku i burgosur i Kremlinit, Navalny është në grevë urie, mjekët paralajmërojnë arrest kardiak. Gjithnjë e më shumë shtete po i bëjnë thirrje qeverisë ruse të veprojë, duke kërcënuar me pasoja nëse Navalny vdes.
SHBA e kanë kërcënuar Rusinë me pasoja, po të vdesë në burg kundërshtari i burgosur i Kremlinit, Navalny. Qeverisë së Moskës i është thënë se ajo që po ndodh me zotin Navalny është në përgjegjësinë e saj, i tha CNN Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Biden, Jake Sullivan. Masa konkrete ai nuk përmendi.
Edhe Ministria e Jashtme gjermane kërkoi një trajtim të menjëhershëm mjekësor për Navalnyn.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka kërkuar nga Rusia “trajtim të përshtatshëm mjekësor” për Navalnyn. “Ne jemi shumë të shqetësuar që shëndeti i Aleksej Navalnyt vazhdon të përkeqësohet,” i tha politikani socialdemokrat gazetës “Bild”.
Navalnyt duhet t’i “jepet menjëherë” e drejta për kujdes mjekësor. Kjo kërkesë tashmë i është përcjellë që të premten Ambasadorit rus raportoi “Bild”, duke cituar Ministrinë e Jashtme. Maas njoftoi se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, i cili do të takohet në Bruksel të hënën, do të merret me situatën e Navalnyt.
Mjekët të shqetësuar
Sipas mjekëve të rrethit të tij, Navalnyn e kërcënon arrest kardiak për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij. Mjekët kërkojnë nga autoritetet e burgut që të kenë akses tek i arrestuari.
Të shtunën, mjekja personale e Navalnyt, Anastasia Vasilyeva dhe tre kolegë të saj, duke përfshirë një specialist të zemrës, kërkuan qasje tek i arrestuari. Për shkak të niveleve kritike të kaliumit, 44-vjeçarin e kërcënon “çdo minutë” kufizimi i funksionimit të veshkave dhe probleme serioze të ritmit të zemrës, thanë ata.