Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit më 10 shtator 2024 në përgjigje të mbështetjes ushtarake që Teherani i jep Rusisë, përfshirë akuzat e fundit për dërgesa të raketave balistike që Moska t’i përdorë në pushtimin e saj të Ukrainës.
Departamenti amerikan i Thesarit ka shënjestruar me sanksione dhjetë individë dhe gjashtë entitete me bazë në Iran dhe Rusi. Janë identifikuar katër anije si prona të bllokuara, që sipas Thesarit po i ndihmojnë Iranit në dërgimin e komponentëve të armëve dhe sistemeve të armëve në Rusi. Armët e transferuara përfshijnë dronë dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi. Iran Air – kompania shtetërore ajrore – është një prej entiteteve të sanksionuara.
Në fund të vitit 2023, Irani dhe Rusia nënshkruan kontratë për furnizimin e qindra raketave. Në verën e vitit 2024, personeli ushtarak rus u trajnua për përdorimin e raketave të llojit CBRM të Iranit nga personeli iranian. Rusia ka pranuar dërgesën e parë me raketa të tilla nga Irani më herët gjatë këtij muaji.
SHBA-ja dhe aleatët e saj kyçë evropianë e akuzuan Iranin për përshkallëzim të rrezikshëm të aktiviteteve malinje që kërcënojnë sigurinë evropiane.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, zyrtarisht akuzuan Iranin se ka transferuar raketa në Rusi. Gjermania kritikoi Iranin për mbështetjen që i jep “luftës së agresionit” të Rusisë kundër Ukrainës, duke thënë se raketat iraniane mund të përdoren për të sulmuar tokën evropiane. Franca, Gjermania dhe Britania dënuan transferimin e armëve të tilla dhe i cilësuan si “përshkallëzim nga Irani dhe Rusia”, duke shtuar se ky përshkallëzim paraqet “kërcënim direkt për sigurinë evropiane”.
Ekspertët kanë thënë se raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi mund të ndihmojnë Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës fqinje. Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022, veçse përdor dronë iranianë në fushëbetejë./UBTNews/