“Ne nuk kemi absolutisht asnjë qëllim dhe as nuk kemi ndonjë plan për të dërguar trupa luftarake në Izrael ose Gaza”, tha Harris në një intervistë për CBS News të transmetuar të dielën, përcjell AA.
Ajo theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave të luftës në konfliktin Izrael-Palestinë dhe të vazhdimit të ndihmës humanitare në Gaza.
“Një organizatë terroriste, Hamasi, vrau qindra të rinj në një koncert. Sipas shumë vlerësimeve, të paktën 1,400 izraelitë kanë vdekur. Izraeli, pa asnjë dyshim, ka të drejtë të mbrohet”, tha Harris.
“Hamasi dhe palestinezët nuk duhet të barazohen”, tha ajo, duke shtuar se palestinezët meritojnë “masa të barabarta sigurie”.
Zëvendës presidentja e SHBA-së i kërkoi gjithashtu Iranit të qëndrojë jashtë konfliktit.
Izraeli ka nisur një fushatë masive të bombardimeve ajrore të Rripit të Gazës pas një sulmi ndërkufitar të grupit palestinez Hamas në territorin izraelit më 7 tetor.
Më shumë se 9,500 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë 8,005 palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, dhe mbi 1,538 izraelitë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari njoftoi të shtunën se forcat izraelite po zgjeronin operacionet e tyre dhe po kalonin në “fazën tjetër të luftës kundër Hamasit”, e cila përfshin operacionet tokësore.
2.3 milionë banorët e Gazës po përballen me mungesën e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve për shkak të bllokadës nga Izraeli.