Shtetet e Bashkuara do të fillojnë dërgimin e 500 milionë dozave të vaksinës Pfizer/BioNTech në 100 vende me të ardhura më të ulëta në fund të këtij muaji, njoftoi presidenti amerikan, Joe Biden.
Ai tha se tashmë SHBA-ja ka dhuruar më shumë se 110 milionë doza të vaksinës.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të dhurojnë dhjetëra miliona doza gjatë verës, përfshirë 500 milionë të planifikuara, tha Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk presin asgjë në këmbim.
“Ne nuk po i shesim. Këto donacione të vaksinave nga Amerika janë falas”, shtoi ai, duke folur në Shtëpinë e Bardhë më 3 gusht.
Presidenti Biden siguroi amerikanët se do të ketë më shumë vaksina në dispozicion dhe përsëri u bëri thirrje qytetarëve të imunizohen kundër sëmundjes COVID-19./REL