Administrata amerikane ka nisur të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së deri në 10,000 ushtarëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, sipas një raporti të “NBC News”. Ky propozim i pakonfirmuar synon të zvogëlojë praninë ushtarake të SHBA-së në Poloni dhe Rumani, pavarësisht se këto shtete shohin një kërcënim në rritje nga Rusia, e cila po tregon agresivitet të shtuar në rajon.
Burime të afërta me administratën kanë shpjeguar për “NBC News” se ky propozim mund të forcojë shqetësimet se Shtetet e Bashkuara po i braktisin aleatët e saj të vjetër në Evropë, që konsiderojnë Rusinë si një kërcënim të rrezikshëm. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Brian Hughes, tha se “Presidenti po rishikon vazhdimisht vendosjet dhe prioritetet për t’u siguruar që Amerika të jetë e para”.
Ky raport ka shkaktuar shqetësim në rajon, duke pasuar një vendim për të zhvendosur disa trupa amerikane nga Jasionka, një bazë afër Rzeszowit në Poloninë juglindore, e cila luan një rol kyç në lehtësimin e operacioneve të ndihmës për Ukrainën. Sidoqoftë, autoritetet polake kanë theksuar se ky është një ndryshim i planifikuar dhe një pjesë e një strategjie më të gjerë për përmirësimin e operacioneve ushtarake të SHBA-së.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka hedhur poshtë shqetësimet për këtë vendim, duke shpjeguar se ky është një ndryshim i parashikuar në samitin e NATO-s të vitit të kaluar. Ai gjithashtu ka shtuar se misioni në Jasionka do të mbështetet nga trupa të aleatëve të tjerë, përfshirë Poloninë, Gjermaninë, Britaninë dhe Norvegjinë.
Në një përpjekje për të qetësuar shqetësimet, presidenti polak, Andrzej Duda, ka theksuar se ai ishte informuar paraprakisht për këtë vendim dhe ka theksuar se ai nuk nënkupton tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga rajoni.