Në një njoftim të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 1.7 miliard dollarë. Kjo ndihmë përfshin dy paketa të reja, të cilat do të jepen për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se paketa presidenciale, me një vlerë rreth 200 milionë dollarë, përfshin interceptorë të mbrojtjes ajrore, municione për HIMARS, predha mortaje dhe artilerie, si dhe raketa Javelin dhe sisteme antitanke.
Së bashku me këtë, Departamenti i Mbrojtjes amerikan do të ofrojë 1.5 miliard dollarë nëpërmjet fondeve të iniciativës për asistencë të sigurisë, për të forcojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës me armë antitanke dhe sisteme me rreze të gjata veprimi.
Njoftimi vjen pas sulmeve ukrainase të dronëve brenda territorit të Rusisë, të cilat kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën e dy rajoneve, sipas Ministrit të Mbrojtjes së Rusisë dhe zyrtarëve rajonalë. Kjo është hera e dytë brenda dy ditëve që sulmet ukrainase shkaktojnë dëme në objektet infrastrukturore ruse.
Ky akt ndihme është një reagim ndaj vazhdimësisë së sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë goditjet e objekteve infrastrukturore dhe civile që kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha. Ukraina, në këtë kontekst, ka filluar të përgjigjet duke goditur objekte të rafinerisë së naftës dhe infrastrukturën energjetike brenda Rusisë.
Në të njëjtën kohë, sulmet ruse vazhdojnë në qytetet jugore të Ukrainës, duke përfshirë Hersonin dhe Nikopolin, duke rezultuar në plagosjen e 20 personave, përfshirë pesë fëmijë, sipas zyrtarëve rajonalë dhe lokalë./UBTNews/