Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” nga një legjislacion që e miratoi Parlamenti i Izraelin për ta ndaluar UNRWA-n, agjencinë kryesore të OKB-së që u sjell ndihma palestinezëve në Rripin e Gazës dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë në Izrael.
Duke reaguar ndaj vendimin që e ndalon punën e UNRWA-s në Izrael dhe çdo kontakt mes autoriteteve izraelite dhe këtij grupi të OKB-së, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, tha se Uashingtoni i ka bërë të qarta shqetësimet e veta dhe se e kundërshton këtë legjislacion.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga ky legjislacion. Ai mund ta ndalë punën e UNRWA-s në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në Jerusalemin lindor”, tha ai më 29 tetor.
“Kjo përbën rrezik për miliona palestinezë, të cilët varen nga UNRWA-ja për shërbime thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe arsimim fillor dhe të mesëm”, tha Miller.
Ai theksoi se UNRWA-ja luan rol vendimtar në ofrimin e shërbimeve për palestinezët.
Ky legjislacion u aprovua nga Parlamenti i Izraelit më 28 tetor dhe do të hyjë në fuqi brenda 90 ditësh.
Palestinezët në Rripin e Gazës janë goditur rëndë nga shpërthimi i luftës me Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Lufta u shkaktua kur luftëtarët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023 dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Hakmarrja e Izraeli e ka shkatërruar Gazën, si dhe i ka vrarë mbi 43.000 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
UNRWA-ja ka paralajmëruar disa herë se Gaza është buzë krizës humanitare për shkak të luftës.
Ligjvënësit izraelitë që e miratuan ligjin për ndalimin e UNRWA-s, thanë se disa punëtorë të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit.
OKB-ja tha në gusht se nëntë pjesëtarë të stafit të UNRWA-s u shkarkuan për shkak se dyshohet se mund të jenë përfshirë në sulmin e 7 tetorit.
Legjislacioni ka gjasë ta bëjë të pamundur punën e UNRWA-s në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, i cili është i uzurpuar nga Izraeli.