Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të qarta në përkrahjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Madje, për ShBA-në nuk ka dilema se Gjykata Speciale, siç zakonisht i referohet këtij institucioni në Kosovë, po gjykon krimet e luftës dhe “po ashtu po kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës”.
Beth Van Schaack, ambasadore amerikane për Drejtësinë Penale Globale, ka theksuar përkrahjen e ShBA-së për Gjykatën Speciale gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë. Për më shumë, ajo vlerësoi se është “jashtëzakonisht e rëndësishme” që të vazhdohet mbështetja për këtë institucion nga ana e komunitetit ndërkombëtar.
Në këtë bashkëbisedim, Uk Lushi, ish-ushtar i Batalionit “Atlantiku” të UÇK-së, e pyeti për qëndrimin rreth Gjykatës Speciale. Ajo tha se ShBA-ja ka qënë përkrahëse e Gjyktës Speciale, “e cila në thelb është një gjykatë kosovare”.
“Ne kemi qenë prej kohësh përkrahës të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e cila në thelb është një gjykatë kosovare, por e ndodhur jashtë territorit, në Hagë. dhe përfiton nga një model hibrid, ku një numër i ekspertëve ndërkombëtarë janë duke shërbyer në pozita kyçe në atë institucion. Kështu për shembull, kryeprokurorja, Kim West, është juriste e Shteteve të Bashkuara. Ne e kemi dërguar atë, në thelb, për ta mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Van Schaak ka përmendur edhe rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, ndonëse jo me emër.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të vazhdojmë ta mbështesim atë institucion si komunitet ndërkombëtar. Është duke gjykuar krimet nga lufta në Kosovë, por po ashtu po kontribuon në vendosjen e shtetit të së drejtës brenda Kosovës. Dhe kështu ne po bëjmë atë që mundemi për të mbështetur atë institucion ndërsa ai vazhdon punën e tij. Është një rast i madh që po ecën përpara, i cili përfshin ish-kreun e shtetit, por ka edhe një sërë rastesh të tjera, duke përfshirë çështjet që përfshijnë përpjekje për të minuar administrimin e drejtësisë. Dhe kjo përfshin rastet që përfshijnë ngatërrimet e mundshme me dëshmitarë ose frikësimin e dëshmitarëve” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Tutje, në pikëvështrimin e zyrtares amerikane, Gjykata Speciale kontribuon në “ndërtimin e një shteti të së drejtës”.
“Dhe kështu këto raste janë po aq të rëndësishme, sepse ato kanë të bëjnë me ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe një sistemi gjyqësor që është në gjendje të funksionojë pa iu nënshtruar presionit të jashtëm nga individë apo subjekte që nuk do të donin t’i shihnin këto çështje të ecin përpara”, tha ambasadorja Van Schaack.
Sjellim ndër mend që gjykimi për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, është duke vazhduar në Gjykatën Speciale në Hagë.