Irani po shfaqet si një lider global në prodhimin e dronëve të lirë dhe vdekjeprurës, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët thonë se Teherani po përdor luftën në Ukrainë për të treguar teknologjinë e tij.
Analistët në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes thonë se Irani është kthyer nga një lojtar rajonal i dronëve në Lindjen e Mesme në një mbështetës të rëndësishëm ushtarak të Moskës në luftë.
Një zyrtar e përshkroi Teheranin si një lider global në prodhimin e dronëve të lirë dhe shumë efektivë.
Irani e ka furnizuar Rusinë me tri modele dronësh: drone kamikaze Shahed 131 dhe 136 njëpërdorimshe, të përdorur nga Moska si një alternativë më e lirë për raketat e lundrimit, dhe dronin me shumë role Mohajer-6.
Al-Monitor, një faqe lajmesh, raportoi së fundmi për disa deklarata të bëra nga një zyrtar i inteligjencës ushtarake iraniane që fliste rreth interesimit për blerjen e dronëve, teksa u shpreh se dhjetëra vende kanë shprehur interes për dronët iranianë.
“Fuqia jonë është rritur në nivele ku Kina po pret në radhë për të blerë 15 mijë nga dronët tanë”, tha zyrtari.
Gjatë fundjavës së kaluar, Guardian zbuloi se si Irani ka përdorur varkat dhe një linjë ajrore shtetërore për të kontrabanduar lloje të reja dronësh të avancuar të armatosur me rreze të gjatë veprimi në Rusi për t’i përdorur në luftën e tij kundër Ukrainës.
Të paktën 18 dronë iu dorëzuan marinës së Vladimir Putinit pasi oficerët dhe teknikët rusë bënë një vizitë speciale në Teheran gjatë muajit nëntor, ku iu shfaq një gamë e plotë e teknologjive të Iranit, zbuluan burime në Iran. Me atë rast, delegacioni rus prej dhjetë personash përzgjodhi gjashtë dronë Mohajer-6.
Të hënën, Mbretëria e Bashkuar paraqiti dëshmi në OKB se Irani ka furnizuar me armë të avancuara rebelët Houthi në Jemen, duke shkelur rezolutat e OKB-së./UBTNews/