Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi sot se qëndrimi i Uashingtonit është shumë herët për të vlerësuar se sa përparim është bërë në negociatat në Vjenë për rinovimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin nga viti 2015, pasi bisedimet indirekte midis delegacioneve rifilluan të hënën.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë ende “urgjencë të mjaftueshme” në qasjen e Iranit, duke shtuar se Uashingtoni pret të shohë të gjitha palët në negociata në mënyrë konstruktive dhe këmbëngulëse për të bërë përparim në negociata, raporton Reuters.
Dje negociatorët evropianë thanë se palët në negociatat e rinovuara kanë javë dhe jo muaj për të shpëtuar marrëveshjen, duke vënë në dukje se në raundin e fundit të bisedimeve është bërë njëfarë progresi teknik për të përmbushur kërkesat e Teheranit.
Irani konfirmoi se negociatat për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore nga viti 2015 me fuqitë botërore po shkojnë në drejtimin e duhur dhe se marrëveshja është e mundur nëse palët e tjera tregojnë vullnet të mirë dhe seriozitet.
“Negociatat në Vjenë po shkojnë në drejtimin e duhur. Ne besojmë se nëse palët e tjera vazhdojnë raundin e negociatave me mirëbesim, arritja e një marrëveshjeje të favorshme për të gjitha palët është e mundur”, tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdolahian.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara rifilluan bisedimet indirekte të hënën dhe fokusi i Teheranit ishte në heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane që do t’i garantonin atij eksportin e lirë të naftës.